A po përgatitet blerja e zgjedhjeve? Lëvizja e Ramës përmes Sandër Lleshit ngre dyshime

Një levizje që ngre dyshime se Edi Rama po përgatitet për blerjen e zgjedhjeve të ardhme është bërë nga ministria që drejtohet nga Sandër Lleshi.

Ministria e Brendshme ka njoftuar se për zgjedhjet vendore, 30.06.2019 rezulton se të drejtën e votës e kanë 3.549.909 shtetas. Ndër ta, 50.5 % e zgjedhësve janë djem dhe burra dhe 49.4 % gra dhe vajza.

Nga lista janë hequr 1264 persona që vuajnë dënimin në burgje, sipas përcaktimeve të ligjit, në kuadër të “dekriminalizimit”, si dhe 1.309 emra të shtetasve mbi 100 vjeç. Ministria publikon të dhëna të tilla në prag të çdo procesi zgjedhor, dhe si përherë, njoftimi i numrit të përgjithshëm të shtetasve me të drejtë vote shkakton habi dhe debate. Kjo për arsye sepse INSTAT kishte njoftuar në fillim të këtij viti se numri i popullsisë është 2.870.324  banorë. Pyetja që komentohet gjerësisht është: nëse popullsia është 2.8 milionë banorë, atëherë si mund të kemi 3.5 milion zgjedhës? ISP është kontaktuar këto ditë edhe nga burime të ndryshme ndërkombëtare për të kuptuar më mirë mekanizmin sesi shteti shqiptar i llogarit shtetasit e vet, dhe brenda tyre, numrin e zgjedhësve potencialë dhe atyre realë.

Në komunikim zyrtar, përgjigjia nga MPB dhe KQZ është e njëjtë: në listën e zgjedhësve përfshihen të gjithë shtetasit shqiptar në moshën mbi 18 vjeç, të cilët sipas Kushtetutës së RSH kanë të drejtën e zgjedhjes. Të tillë janë shtetasit që jetojnë brenda territorit të RSH (2.8 milionë) dhe ata që jetojnë përkohësisht ose për një periudhë më të gjatë kohë në vendet e tjera. Legjislacioni shqiptar nuk ka detyrime specifike ndaj shtetasve lidhur me të drejtën e votës, si p.sh, detyrimi për përditësimin e adresarit personal e familjar, detyrimi për të dëshmuar ekzistencën përmes një kontakti brenda ose jashtë vendit apo detyrimi për të dëshmuar qenien taksapagues. Kategoria e vetme e përjashtuar me ligj (dekriminalizimi) është ajo e të dënuarve për një sërë veprash penale, një vendim që gjithsesi krijon diskutim nëse kemi të bëjmë me standard cilësor demokracia apo diskriminim të të drejtave kushtetuese.

Në funksion të informimit publik Instituti i Studimeve Politike (www.isp.com.al) ka formuluar tabelën me të dhënat mbi proceset periodike kryesore zgjedhore nga 1987 (zgjedhjet e fundit të sistemit njëpartiak) dhe deri më 2017 (zgjedhjet e fundit politike në Shqipëri). Sic rezulton edhe nga tabela, midis viteve 1987-1997 ka pasur shifra të përafërta të numrit të zgjedhësve dhe numrit të votuesve dhe se pas vitit 2001 ka nisur të krijohet një hendek gjithnjë e më i madh midis shtetasve në listë dhe shtetasve që realisht votojnë. Nëse zgjedhjet 1987 janë fiktive dhe detyrim politik e ligjor, zgjedhjet 1991 dhe 1992 janë produkt i lëvizjeve të mëdha shoqërore e politike, kurse zgjedhjet e vitit 1996 dhe 1997 janë produkte të deformimit të rezultateve zgjedhore, përfshirë pjesëmarrjes në zgjedhje. Midis 1997 dhe 2017 numri i zgjedhësve realë pjesëmarrës në proceset zgjedhore është thuajse me trend normal, – midis 1.3 dhe 1.7 milionë zgjedhës, ndërkohë që numri i shtetasve me të drejtë vote është rritur nga 1.9 milionë në 3.4 milionë. Rritja duket problematike nëse krahasohet me të dhënat e INSTAT, sipas të cilit në dekadën e fundit ka rënie të ndjeshme të lindshmërisë dhe për pasojë, edhe të kurbës së rritjes së popullsisë në Shqipëri.

Në raste të tilla shteti ka përgjegjësinë të ndërmarrë reformën fillestare në funksionet e tij, – të bëjë regjistrimin real të popullsisë dhe të unifikojë të dhënat për numrin real të shtetasve shqiptarë kudo ata ndodhen. Vetëm pasi kjo të ndodhë, mund të ketë të dhëna të besueshme mbi numrin e zgjedhësve, numrin e banorëve, numrin e votuesve dhe referuar debatit për votimin edhe të emigrantëve, – edhe numrin real të shqiptarëve me potencial votimi që jeton aktualisht në vende të ndryshme të botës. Valët e emigrimit ilegal dhe legal, pamundësia e shtetit për të ushtruar funksionet e tij thelbësore, tranzicioni me problematika të shumëfishta ekonomike e sociale, fatet personale dhe shpesh edhe të panjohura të emigrantëve, martesat me shtetas të vendeve të tjera, ndryshimi i shtetësisë (lënia e shtetësisë shqiptare apo përfitimi i më shumë se një shtetësie njëherësh), etj, kanë krijuar një labirinth të komplikuar. Me mungesën e këtyre të dhënave thelbësore për funksionin e një shteti serioz, pasojat shfaqen edhe në kalkulimet e sistemit të pensioneve, të shërbimeve publike, të arsimimit, të sigurimeve, etj.

Kompleksiteti i kësaj problematike dhe paradoksi në leximin e tij shprehet qartësisht edhe në debatin aktual midis numrit real të zgjedhësve, numrit të popullsisë sipas INSTAT dhe numrit të shtetasve me të drejtë vote publikuar nga MPB. Instituti i Studimeve Politike gjen rastin të kujtojë se pikërisht këtu, në detyra të tilla kaq elementare për një shtet, siç është numërimi dhe regjistrimi real i banorëve dhe shtetasve të tij, do të duhet të kishte vëmendje maksimale nga vendimmarrësit, strategji efektive dhe zgjidhje sa më të shpejtë, të besueshme e të qëndrueshme.