Cungu “injoron” lojtarët shkodranë

Armando Cungu njihet si një nga trajnerët më të mirë në vendin tonë. Shkodrani ka drejtuar disa ekipe në Shqipëri, si Vllaznia, Laçi dhe Kukësi, ku me këtë të fundit vijon të jetë përsëri në krye të saj dhe synon titullin kampion këtë edicion.

Por, SportEkspres ka kontaktuar me teknikun shkodran duke i kërkuar atij që të ndajë me sportdashësit shqiptarë formacionin me lojtarët më të mirë që ai ka drejtuar në karrierën e tij si trajner.

Cungu ka përzgjedhur një modul 3 – 4 – 3. Kështu, portjeri më i mirë për Cungun është Argent Halili. Ndërkohë, në mbrojtje janë përzgjedhur Lukas Malakarne, Ylli Shameti dhe Adrian Cuculi.

Në mesfushë është përsëri një lojtar i Kukësit, si Rahman Hallaçi në të djathtë dhe Endri Vrapi në krahun e majtë, ndërsa Besar Musolli dhe Emiliano Veliaj formojnë qendrën e mesfushës. Në treshen e sulmit ka vendosur Kordero Uilliams, Marko Cetkoviç dhe Xhejms Adeniji.

Pra, siç shihet në këtë formacion të Cungut me lojtarët më të mirë që ka stërvitur, nuk bën pjesë as një lojtar i Vllaznisë apo lojtar shkodran që Cungu ka bashkëpunuar me të.

Kujtojmë se nën drejtimin e tij, Vllaznia rrezikoi rënien një kategori më poshtë por mbijetoi në ndeshjen e fundit të kampionatit ndaj Tiranës, edhe pse një sezon më pas nën drejtimin e një trajneri tjetër, Ernest Gjoka, ra një kategori më poshtë. /ShkodraNews

Lexo edhe: