“Fundi i Marrëzisë”, Tahiri i preku sallonet e të vëllait, sherret e Fatmir Xhafaj sa herë diskutohej bixhozi në …

Marrëdhënia mes Saimir Tahirit nisi të kriset që prej fillimi të mandatit të parë të qeverisë Rama, kur trumbetoi edhe operacioni “Fund Marrëzisë”. Në një skaner të bërë nga “Top Story”, nga viti 2005 deri në vitin 2013, Rama i beson postin e nënkryetarit të Komisionit për Çështjet Ligjore në Kuvend Fatmir Xhafajt. Në vitin 2007, Xhafaj zgjidhet Sekretar për Çështjet Zgjedhore në PS, që e ka mbajtur deri në vitin 2016. Në këtë detyrë, Xhafaj do të mbahet mend për statutin e ri të Partisë Socialiste, duke i dhënë fuqi absolute, gati-gati autoritere, Edi Ramës.

Me ardhjen në pushtet të Partisë Socialiste, lufta për karrige dhe pozicione kyçe ishte e pamëshirshme. Fatmir Xhafaj nuk bëhet dot ministër, por ai merr kryesimin e Komisionit të Ligjeve. Në tetor të vitit 2013, Ministri i Brendshëm, Saimi Tahiri nis një aksion për mbylljen e lojërave të fatit, i pagëzuar me emrin “Fundi i Marrëzisë”. Pikërisht, ky aksion do të sillte edhe fundin e marrëdhënieve mes Tahirit dhe Fatmir Xhafajt.

“Disa prej salloneve kontrollohen prej Agron Xhafës nëpërmjet personave që kanë qenë të bashkëdënuar në Itali. Por, edhe nëpërmjet personave të tjerë të cilët i kontrakton Agron Xhafaj për t’i kryer shërbimet si ruajtjen fizike apo punëtorët të cilët punojnë nëpër këto etj. Prova më e fortë për këtë është përplasja e vetë vëllait të tij Fatmir Xhafaj, sjell në vëmendje të publikut, një përplasje që ka ndodhur me ish-drejtoreshën e lojrave të fatit”, tha për Top Story Salianji.

Në Qendrën Kombëtare të Biznesit, nuk ka asnjë kompani bastesh ku Geron Xhafaj figuron aksioner. Por emri i tij lidhet ngushtë me dy vëllezërit Gramos dhe Besnik Murataj, aksionerë të kompanisë se basteve ITSGA, e cila në treg del si Eçobet, Eurolive, Basti shqiptar.  Vëllezërit Murataj, janë pjesë e çështjes në të cilën drejtësia italiane dënoi vëllain e Fatmir Xhafajt, Agronin në vitin 2002, dënim i konfirmuar nga Kasacioni në vitin 2012. Krisja brenda mazhorancës ishte e dukshme. Fatmir Xhafaj shfaqej i tensionuar në mbledhjet e Komisionit të Ligjeve, sa herë flitej për bixhozin.