Kundër vendimit të Ramës, investimi i luksit në Shkodër, miliona për llaç e bojë në këtë institucion

Me gjithësë kryeministri Edi Rama deklaroi se për këtë vit ndërhyrjet e luksit do të anuloheshin të gjitha për shkak të situatës së krijuar nga pandemia Covid dhe madje bashkive dhe ministrive u kërkoi të rishihnin buxhetin e tyre, jo të gjithë ja kanë dëgjuar fjalën. Ministria e bujqësisë ka vendosur që të veprojë ndryshe dhe të përgatitet për të hedhur para edhe në 2020-en për rikonstruksion godinash dhe blerje luksi. I tillë është tenderi I çelur me vlerë prej 35 milion lekësh për rikonstruksionin e agjensisë së shërbimeve veterinere dhe mbrojtjes së bimëve në Shkoder. Hapja e tenderit është bërë këtë muaj dhe pritet që në gusht të mësohet fituesi, e më pas të nisë puna për tu përmbyllur këtë vit, në një kohë kur vendi ka pësuar një goditje të fortë ekonomike dhe kriza është prezente në shumë sektor. Siç duket drejtuesit e rinj të kësaj agjensie e kanë të pamundur të vijojnë punën në kushtet aktuale, edhe pse prej vitesh të tëra paraardhësit në ato karrige, kanë ushtruar detyrën në ato mjedise, që asesi nuk mund të thuhet se janë në gjendje të mjeruar, apo që në to nuk mund të ushtrosh aktivitetin. Ministria e bujqësisë e ka parë të udhës që këto para më mirë të shkojnë për llaç e bojë, sesa për nevoja të tjera që ka ky sektor, edhe ky I prekur nga pandemia Covid dhe me një mori problemesh të tjera që efektin e kanë të shtrirë zinxhir, e me gjasa edhe në vite, e jo vetëm për këto muaj.