Mbyllja e pikave të basteve/ Dëme fatale në Shkodër, dhjetra njerëz në rrugë të madhe

Ju kanë mbetur edhe pak ditë “jetë” por pikat e basteve në Shkoder kanë nisur të marrin masa që tani për të mos patur një fund edhe më të hidhur, pas vendimit të qeverisë për mbylljen e tyre. Prej ditësh ato kanë nisur të shesin pajisjet, ku ekranet e mëdha plazma që deri dje i përdornin për ndjeken e ndeshjeve, sot kanë përfunduar duke u shitur në treg me cmime nga 100 deri në 150 mijë lekë të vjetra.

Gjithashtu pajisjet e tjera, si kompjutera apo dekodera po shiten me cmime shumë herë më të lira sesa vlera reale në treg. Një pjesë e pikave të basteve me shpejtësi janë kthyer në bar – kafe, duke ndryshuar aktivitetin e tyre, e të tjera kanë zgjedhur të kyçin përfundimisht qepenat. Mbishkrime si jepet me qera, apo në shitje nuk kanë vonuar të shfaqen në zona të ndryshme të Shkodres, ndërsa në mbrëmje orari më i vonë që mund ti shohësh të hapura është ora 23.00.

Nga të dhënat paraprake të marra nga drejtoria e tatimeve në rrugë jo zyrtare konfirmohet se nga data 2 dhjetor e deri me 5 dhjetor, në qytetin e Shkodres kanë mbyllur aktivitetin e tyre përfundimisht 6 pika bastesh, ndërsa 5 të tjera kanë nisur të operojnë si bar – kafe, duke larguar cdo logo të kompanive të basteve.

Një prej pronarëve të këtyre pikave tregon për Shkodranews se: “Që nga 1 dhjetori xhiroja ditore ka rënë në masën 70%. Jam detyruar të largoj 2 punëtore që kam patur. Di të them që ky është vendim absurd, përpara festave na hoqën edhe bukën e gojës, ne e të punësuarve. Tani Edi Rama të na japë punë se ndryshe ku të shkojmë, vetëm të dalim e të grabisim natën”. Por në qytet në masë ata që janë të kënaqur për heqjen e basteve, janë familjarët dhe kryesisht ata që nuk i kanë frekuentuar këto pika. “Mirë kanë bërë, lanë njerëzit edhe kokën aty se jo më lekët” thotë një grua.

Ndërsa një banore e një pallati poshtë të cilit ka patur një pikë bastesh shprehet: “Me i than Zotit shyqyr, ju bafte shnet kush i ka heke. Me pas bezdi me dalë prej shpije se lloj lloj fjalësh e njerëzish kanë hy në to”. Zyrtarisht të parët që janë paraqitur në QKR për mbylljen e nipteve mësohet se kanë qënë përfaqësuesit e kompanive të mëdha. Saktësisht për shkodrën ende nuk ka një të dhënë nga kjo zyrë se sa është numri i atyre që janë drejtuar për të kryer një procedurë të tillë!/ShkodraNews