Ndryshon komplet moti. E shtuna me shi e shtrëngata, por ja si do jetë e diela



SH.M.U publikon parashikimin e motit sa i përket kësaj fundjave:



Sa i përket ditës së Shtunë vendi pritet të ndikohet nga kushte të paqëndrueshme atmosferike. Edhe pse dita nis me kthjellime e vranësira kalimtare me kalimin e orëve ato bëhen të dendura në pjesën më të madhe të territorit. Reshjet e shiut bëhen prezente fillimisht në zonën e juglindjes dhe prej orëve të mesditës shtrihen në pjesën më të madhe të vendit (përjashtuar zona e veriperëndimit). Reshjet do të jenë të herëpashershme në formën e shtrëngatave, ndërsa në relievet kodrinore’malore edhe në formën e stuhive apo rrebesheve afatshkurtër.



Përmirësim i lehtë pritet të vijë gjatë ditës së Diel me më tepër orë me kthjellime por edhe alternime vranësirash. Në relievet kodrinore-malore këto vranësira në orët e nxehta të ditës do të shoqërohen me reshje shiu afatshkurtër në formën e shtrëngatave dhe stuhive. Por, sa i përket vijës bregdetare – ndryshe nga dita e shtunë – parashikohet që të ketë më tepër orë me diell për ata që tashmë ndodhen me pushime.