“Oh ç’kob, çfarë hipokrizie!”, shpërthen Artan Hoxha

Lajmi se:”Presidenca ul flamurin kombetar në gjysmështizë”…më zgjoi këtë mëngjes. Heu thashë, më në fund dikush nga shtetarët tanë u bë burrështetas dhe u ngrit në lartësinë e detyrës.

Jetët e gjashtë shqiptarëve të humbura brenda 10 ditëve te fundit në Greqi, në rrethana të pasqaruara, të ekzekutuar me armë zjarri nga policia greke dhe pjesëtarë të Agimit të Artë, apo të aksidentuar në mënyrë të dyshimtë, shtuar këtu dhe shqiptarit të shtatë, 18-vjeçarit të ekzekutuar dje, mendova se e paskan mbushur kupën. Presidenti, thashë me vete e paska ndarë mendjen.

Kupa u mbush dhe ai nuk mund të vazhdojë më duke shkëlqyer me heshtjen e tij. Shtatë jetë shqiptarësh të humbura për dhjamë qeni brenda kaq pak ditësh, janë një bilanc i vërtetë lufte. Komandanti ynë i Përgjithshem, që shkel me këmbë si askush tjetër çdo pëllëmbë tokë të këtij vendit, që s’ka lënë majë mali pa ngjitur, e paska bërë si burrat.

Nga ngjarja e Bularatit më 28 tetor 2018, e deri tani, ai ka bërë deklaratë zyrtare vetëm për një palo parrullë me beze të bardhë që dy të pagdhendur e futën brenda radhëve të tifozëve në një ndeshje futbolli ku shkruhej se:”Një grekë më pak, një bastard më pak”.

Asnjë fjalë më tej, as për RENEA-n që asgjësoi pas katër orësh shkëmbimi zjarri një terrorist të armatosur që tentoi të ekzekutonte patrullën e Policisë së Shtetit, as për marshimin e turpit antishqiptar të nacional-fashistëve grekë. Epo këtë radhë, pas gjithë këtyre mënxyrave që kanë ndodhur dhe sidomos vrasja e djeshme e një 18-vjeçari shqiptar krejt të pafajshëm në Kavala, ia paska ngritur qimet përpjetë. Ia paska vrenjtur vetullat. Ia paska mbushur me duf e inat shpirtin, aq sa i paska rënë me grusht tavolinës, sa është dridhur jo vetëm kabineti i tij, ushtarët e Gardës te dera, por deri dhe dashamirësit e tij te lokali-lloto i Gaz Demit.

Ka lëshuar piskamën dhe u ka kërkuar të vetëve të ulin urgjentisht flamurin e presidencës në gjysmështizë. Të lajmërojnë mediat se ai do dalë të flasë vënçe, si di ai të flasë kur e kap inati. Le të heshtë Rama si shurdh-memecë se mos i prishet humori Ciprasit, le të heshtë ministri i Jashtëm Bushati, le të kafshojë gjuhën shefi i opozitës apo qytetari digital(qe s’lënë gjë dhe rast pa folur), por ai gardiani i kushtetutës nuk mund të mbyllte sy e vesh e të mos sokëllinte për gjakun e pafajshëm të bashkëkombasve të tij derdhur padrejtësisht rrugëve të Greqisë.

Por lajmi aq shpresëdhënës dhe krenarindjellës që kisha parë përgjumësh në ekranin e celularit këtë mëngjes, m’u shemb sapo lava sytë dhe m’u kthjellua shikimi.

Oh ç’kob, çfarç hipokrizie. Vërtetë flamuri kuqezi i presidencës ishte ulur në gjysmështizë, por jo për shtatë shqiptarët që u kthyen me arkivol nga Greqia, por për Xhorxh Bushin (plakun) 93-vjeçar që ndërroi jetë nga një sëmundje e rëndë… Zoti në qiell pastë mëshirë për të gjithë bashkëkombasit e mi… sepse në tokë askujt nuk i bëhet vonë për ne..