Paralajmërimi, ky është vetëm fillimi! Artistët i bashkohen protestës së studentëve

Protesta e studentëve të Tiranës orë pas ore, po fiton masivitet dhe përkrahja edhe nga faktorë jashtë auditorëve. Ditën e sotme aty kanë mbërritur edhe përfaqësues të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, si aktori Neritan Liçaj, regjisori Kastriot Çipi, por dhe pedagogu i gjuhës frënge në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, profesor Edmond Tupja.

Liçaj në fjalën e tij përpara studentëve që kanë pushtuar ambientet përpara ministrisë së Arsimit bëri thirrje, që të bashkohen të gjithë kundër kësaj qeveritë antikombëtare dhe të papërgjegjshme.

“Ju jeni e ardhmja. Kjo qeveri është antikombëtare, qeveri e papërgjegjshme që nxjerr ligje kundër qytetarëve. Duhet të mblidhemi të gjithë dhe të dalim para Kryeministrisë për të protestuar”, tha Liçaj.

Menjëherë pas tij megafonin e mori profesori i njohur, Edmond Tupja, i cili u  bëri thirrje studentët që të mos ndalen.

“Studentë dhe studente të mitë, ky është vetëm fillimi. Vazhdoni luftën”, inkurajoi Tupja protestuesit e shumtë, që brohorisnin. Edhe regjisori Kastriot Çipi në fjalën e tij mbështeti protestën duke theksuar, se ata janë në të drejtën e tyre kushtetuese për arsim publik falas.