Policia ngre problemim e madh: Në Shkodër mungojnë…

Mungesa e një sistemit të saktë adresash është kthyer në shqetësim serioz për policinë e Shkodres dhe veçanërisht për sektorin që merret me menaxhimin e rasteve të dhu.nës në familje.

Sa herë ka një denoncim për një rast të tillë, inspektori së bashku me psikologun e kanë të vështirë të gjejnë adresën e saktë të të dhunuares, që në shumë raste mund të jetë përballë rrezikut që i kanoset për jetën.

Edhe pse rrugët dhe sheshet kryesore kanë emertimet e reja zyrtare, për policinë vështirësia e madhe qëndron në faktin se për pallatet, shtëpitë, apo edhe brëndësitë e lagjeve ky sistem është jashtë kontrolli.

Kjo u bë me dije nga drejtuesit e policisë së Shkodrës gjatë takimit të komitetit rajonal që merret me menaxhimin e rasteve të dhunës, të cilat në këtë vit sa i përket rajonit verior kanë njohur rritje.

Policia deklaron se është në përpunim e sipër të rasteve, por raportohen të jenë rreth 500 të tilla, një shifër e frikshme në raport me shumë raste të tjera që nuk denoncohen, mbahen të mbyllura brenda familjes, apo që zgjedhin ti drejtohen gjykatës direkt pa u ndalur tek denoncimi në polici, e organizma të tjerë.

Një tjetër shqetësim që sot ka rajoni i Shkodres mbi këtë fenomen, është fakti se në bashki nuk ka një numër jeshil denoncimi, por gjithçka kryhet tek shoqatat, ndonëse shërbimi social do të duhej ta kishte së bashku me pikat e adresimit të personave të dhunuar.

Pritet që brenda gjysmës së dhjetorit gjykata e Shkodres të bëjë publike shifrat zyrtare të të gjitha rasteve të paraqitura, që natyrisht janë edhe një rezyme e qartë e realiteti që ka metropoli verior.

Por, përballë shtimit të rasteve dhe këtyre problematikave që raportojnë institucionet, emergjente mbetet ndërhyrja, së pari pushteti vendor duke zgjidhur problemit e sistemit të saktë të adresave, e më pas krijimit të qendrave të akomodimit dhe trajtimit të personave të dhunuar, qofshin ato gra, vajza, apo edhe burra.

Pasi fenomeni është shtrirë tashmë duke mos njohur moshë dhe gjini!/ShkodraNews/