S’ka dreka e darka fundviti për ministritë dhe institucionet publike, Prokurimet Publike: S’ka lekë për …

Të gjitha institucionet publike, ministritë dhe drejtoritë e varësisë nuk do të shkunden dot këtë vit në festat luksoze që organizojnë për festat e fundvitit. Këtë e ka lajmëruar Agjencia e Prokurimeve Publike e cila ka nxjerrë njoftimin për këto institucione të mos shpenzojnë asnjë leke e të mos shpallin asnjë tender. Këto institucione nuk do të marrin asnjë lek nga buxheti për këto lloj aktivitetesh.

Agjencia e Prokurimeve Publike ka njoftuar se duke marre shkas nga eksperiencat e mëparshme, ku autoritete të ndryshme kanë shpallur procedura prokurimi me objekt organizimin e drekave dhe darkave festive ka sjellë edhe njëherë në vëmendje kërkesën për mirepërdorim të fondeve. Po ashtu APP kërkon që të mos hapet asnjë procedurë prokurimi për organizim të festave, sepse nuk do tu jepen fonde nga buxheti.

Edhe vitin e kaluar Agjensia e Prokurimeve Publike bëri të njëjtën thirrje, por pavarësisht kësaj u hapën mbi 20 procedura të tilla.  Prej vitesh institucionet shtetërore organizonin festa për punonjësit me fondet e buxhetit, duke hapur tendera me vlerë të vogël. Ndërkohë gjatë këtij viti në APP konstatohen vetëm disa prokurime për dekorimet e qyteteve dhe për hedhje fishekzjarrësh. Në këtë mënyrë të gjithë institucionet që do të bëjnë organizime festive me rastin e ndërrimit të viteve do të duhet ti paguajnë shpenzimet nga xhepat e titullarëve .