Socialistët paraqesin strategjinë për të fituar Bashkinë Shkodër. Ethe për Voltana Ademin që te buxheti…

Vota kundër në këshillin bashkiak të Shkodrës për buxhetin e 2019-es nga këshilltarët socialistë, ishte vetëm sinjali i parë i mënyrës se si do të sillen të majtit në vazhdimësi përballë Voltana Ademit, tashmë që po hyjmë në ethet e fushatës elektorale të qershorit 2019.

Duket se selia rozë është zgjuar më në fund duke u kujtuar se përpara ka një fushatë dhe ka nisur përgatitjet e para për intensifikimin e planit që do të ndjek për të sulmuar tashmë haptazi punën e dobët të bashkisë, që prej muajve të parë të vitit të ri, e deri në përmbyllje të fushatës elektorale.

Drejtuesit socialistë të deleguar në qarkun Shkodër kanë kërkuar nga anëtarësia, veçanërisht drejtorët dhe të zgjedhurit lokal, që të evidentojnë problematikat që ka Shkodra në çdo zonë dhe t’i bëjnë ato publike. Socialistëve u kërkohet të përdorin qoftë rrjetet sociale, e çdo instrument tjetër, me synimin e vetëm uljen e pikëve të së djathtës përballë votuesve.

Gjithashtu strukturat janë porositur që nga gjysma e janarit të bëhen gati për të paraqitur planet e tyre të punës për të nisur daljet në terren, ku komunikimi me qytetarët do të jetë një prej strategjive që do të ndiqet. Një tjetër porosi e dhënë në mënyrë të prerë që është vënë në zbatim që prej dhjetorit nga një pjesë e drejtorive, është ajo e nxjerrjes së planeve të investimeve të kryera në këto vite, por edhe ndërhyrjeve të parashikuara për 6 muajt e parë të vitit 2019, me qëllim që ndaj qytetareve të jetë të gatshëm t’u përgjigjen për ato që janë bërë dhe ato që do të bëhen.

“Fokusi duhet të orientohet tek pushteti vendor, opozita e dobët që ato bëjnë dhe çdo lloj instrumenti, me synimin e vetëm që problematikat tona qeverisëse të mos mbizotërojnë në raportin komunikues që do të kemi me qytetarët”, mësohet të ketë qenë porosia e dhënë.

Tashmë partia socialiste e Shkodres do të nisë takimet zyrtare që nga gjysma e janarit, aty ku do të mësohen emrat e ngarkuar për këtë proçes pune, ku më emergjente është cilësuar zgjedhja e kryetarit të ri të degës, pasi ende në detyrë është Arvit Osja, i cili është shkarkuar më herët për rezultate të dobëta pune. Megjithese janë disa emra që janë diskutuar në tryeza të ngushta, ende zyrtarisht të majtit nuk e kanë një emër zyrtar për këtë post të rëndësishëm përpara zgjedhjeve lokale./ShkodraNews