Takime fantazmë me audiencë false/ Prapaskenat për miratimin e buxhetit në Shkodër

Gjatë ditës së sotme u organizua nga bashkia Shkodër dëgjesa publike për projektbuxhetin e 2019. E gjithë salla e këshillit bashkiak ku u zhvillua kjo mbledhje ishte e mbushur plot me qytetarë dhe një numer të vogël anëtarësh të këshillit bashkiak.

Kryetarja e bashkisë Voltana Ademi prezantoi projektbuxhetin ndërsa ‘shkëlqente’ në atë prezantim për shkak se 95% e të pranishmëve nuk kuptonin asgjë.

Disa fshatarë nga njësitë administrative kishin marrë urdhër që të vinin në mënyrë që kjo dëgjesë për projektbuxhetin të mos dështonte dhe mes atyre që nuk merrnin vesh asgjë kryebashkiakes i dukej vetja e pakapshme.

Edhe nëse do të kishte qenë një nivel tjetër pjesëmarrësish sërish do të ishte e pamundur për të kuptuar diçka në gjithë atë projektbuxhet. Kjo për shkak se materiali për projektbuxhetin ka mbërritur tek këshilltarët vetëm një ditë më perpara ndërkohë që minimalisht duhej të ishte që me 30 nëntor.

Nga ana tjetër edhe në mbledhjen e fundit të këshillit bashkiak kryebashkiakja Ademi u shpreh se janë bërë takime konsultative me banorët e njësive për buxhetin duke thënë se janë pyetur qytetarët për nevojat e tyre.

Në fakt kanë qenë gati takime fantazëm pa praninë e medias dhe publikut të gjërë apo asaj mase të madhe qytetarësh. Këto takime janë zhvilluar me nga 7-8 vetë ndërkohë që njësitë kanë me mijëra banor.

Kryebashkiakja ka thirru ato që ka patur interes dhe që nuk kuptojnë duke e shoqëruar edhe me nga 3-4 foto sa për t’u justifikuar.

Edhe dëgjesa e sotme ishte një dështim total i bashkisë duke mos patur një diskutim ashtu siç duhet për buxhetin por thjeshtë disa pyetje të fshatarëve për ndonjë rrugicë apo ndonjë vend pune ose ndonjë oborr shkolle duke shmangur problemet reale që ka Shkodra dhe njësitë e saj dhe po ashtu nevojat reale për investime me projektbuxhetin e 2019, një projektbuxhet ky që nuk ka aspak brenda mendimin e qytetarëve por është bërë ashtu siç bashkia e ka menduar duke mos adresuar shqetësimet reale të banorëve.

ShkodraNews