TRAGJIKE/ Ekzekutimi i të riut, familja Kurti vajton e familja Arapi heq rrobat e zisë

Është e rëndë të përshkruhet ajo që po ka ndodhur dy vjet më parë dhe ajo që po ndodh sot pas ekzekutimit të Jurgen Kurtit, mes familjes së tij dhe asaj Arapi. Tragjik është po ashtu fakti se ndërsa dy vjet më parë vajtonte familja Arapi për humbjen e kryefamiljarit duke bërë përgjegjës të riun e ekzekutuar, sot dhimbja ka ndryshuar kursin, duke u ulur në familjen Kurti. Vjollca Arapi bashkëshortja e Agim Arapit, e akuzoi Jurgen Kurtin se ishte ai përgjegjësi për vdekjen e të shoqit dhe sot që i riu u vra, ajo thotë se dhimbja iu largua.

Vjollca Arapi është shprehur për mediat se shpirti i të shoqit të ndjerë ka gjetur qetësi, e për këtë do të heqë rrobat e zisë. “Shpirti i burrit gjeti paqe. Sot do të heq rrobat e zisë”, është shprehur ndër të tjera Vjollca Arapi. Vjollca Arapi, është marrë në pyetje nga Policia, ndërsa ka mohuar çdo lidhje me vrasjen e Jurgen Kurtit. Ajo shpreh keqardhjen e saj për këtë ngjarje, ndërsa shprehet se ka kërkuar vendosjen e drejtësisë e jo vrasjen e tij.

“E dëgjova në media për vrasjen. Me erdhi keq se ishte djalë i ri. Keqardhje për nenen e tij që i iku djali dhe i them se une dhe familja ime s’kemi lidhje me atë ngjarje. Unë kam kërkuar burgun, drejtësinë, jo vdekjen e tij. Prokuroria e Tiranës erdhi dje ne banesën time dhe beri kontroll. Me morën ne pyetje, por unë nuk di gjë për vrasjen dhe 3 fëmijët e mi jetojnë ne Itali. Drejtësia nuk u vu ne vend per bashkeshortin tim sepse u ble me para”, – shprehet Vjollca Arapi.

Ajo shprehet se ka qëndruar deri në orën dy në polici ku është marrë në pyetje. Agim Arapi, një tregtar nga Durrësi, u dhunua barbarisht për vdekje, ndërsa për këtë është dënuar Kujtim Ekonomi, vëllai i vjehrrit të Jurgen Kurtit. Ky i fundit ndonëse u akuzua nga familjarët e tregtarit të vrarë, u la i lirë nga drejtësia.

Vjollca Arapi gjithmonë ka kërkuar drejtësi pasi sipas saj kamerat e sigurisë në biznesin e tyre tregonin edhe përfshirjen e Jurgen Kurtit, për të cilin thoshte se është përgjegjës edhe për vrasjen e burrit të saj edhe të babait të tij. Jurgen Kurti u vra mbrëmjen e djeshme rreth orës 22:30 në afërsi të banesës së tij që ndodhet pranë stadiumit “Selman Stërmasi”.

Atij i është zënë pritë nga persona të maskuar, të cilët e kanë qëlluar sapo Kurti ka dalë nga makina për të shkuar në shtëpinë e tij. Jurgen Kurti njihej ndryshe dhe si menaxheri i VIP-ave në Tiranë, ndërsa është akuzuar për dy vrasje, por për asnjërën prej tyre nuk është dënuar.