U vendos sot në Vjenë, çfarë e pret Shqipërinë në 2020

Një vendimi i rëndësishëm është marrë sot në Vjenë të Austrisë, ku është votuar pro, që Shqipëria të marrë kryesimin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) nga viti 2020. Nga 1 janari 2019, Shqipëria bëhet pjesë e Trojkës.

OSBE u krijua gjatë Luftës së Ftohtë, si një forum për dialog mes Lindjes dhe Perëndimit dhe ajo sot vepron në tri fusha: ushtarako-politike, ekonomike-ekologjike dhe njerëzore. E ka selinë në Vjenë dhe mbledh 57 shtete anëtare nga Evropa, Azia Qendrore dhe Amerika e Veriut, të cilat së bashku përbëjnë pjesën më të madhe të hemisferës veriore. Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë – është forum dialogu politik për një gamë të gjerë çështjesh të sigurisë si dhe platformë për veprim të përbashkët, me qëllim përmirësimin e jetës së individëve dhe komuniteteve.

Përmes qasjes tërësore ndaj sigurisë, që përbëhet nga dimensionet politiko-ushtarake, ekonomike, mjedisore, njerëzore dhe anëtarësimin përfshirës, OSBE-ja ndihmon në ngushtimin e dallimeve dhe ndërtimin e besimit ndërmjet shteteve, duke bashkëpunuar në parandalimin e konflikteve, menaxhimin e krizave dhe rehabilitimin pas konfliktit. Me institucionet e saj, njësitë e ekspertëve dhe operacionet në terren, OSBE-ja trajton çështje me ndikim në sigurinë tonë të përbashkët, përfshirë kontrollin e armëve, terrorizmin, qeverisjen e mirë, sigurinë energjetike, trafikimin e personave, demokratizimin, lirinë e medias dhe pakicat kombëtar.