Venecia i kthen pas propozimin PD për vettingun e politikanëve: I paqartë, lë hapësira për abuzime

Propozimi i bërë për vettingun në politikë është i paqartë, ai lë hapësira për njëanshmëri si edhe nuk ka të përcaktuar se kush do ta kryejë këtë proces. Kjo është edhe kuptimi i përgjigjes së Komisionit të Venecias lidhur me propozimin e PD të dërguar atje për të përfshirë në vetting edhe poltikanët. Sikurse raporton Report Tv ky draft do të miratohet në 14 dhjetor, ku do të jenë të pranishëm 4 deputetë të PS-së, si dhe 3 përfaqësues të opozitës, 2 nga PD dhe 1 nga LSI-ja. Rrjedhimisht një kërkesë e tillë është rrezuar ndërsa kërkohet një zgjidhje alternative. Komisioni e sheh problematik variantin e propozuar nga PD-LSI për pastrimin e politikës nga krimi dhe nga ndikimi i tij.

90. Me gjithë qëllimin legjitim në situatën aktuale në Shqipëri….propozimi kushtetues për kontrollin e integritetit të politikanëve nuk arrin të ofrojë udhëzime të përshtatshme dhe masat mbrojtëse të nevojshme, për një shkallë të tillë të madhe, komplekse dhe të ndjeshme, me implikime të rënda për të drejtat e atyre që i nënshtrohen. Siç është aktualisht, propozimi i verifikimit nuk ka qartësi ligjore dhe siguri ligjore”.

Më tej komisioni shpreh rezerva mbi formulën se kush do ta bëjë vettingun e politikës dhe kush do t’i zgjedhë këto organe.“ 93. Nuk është e qartë se kush do të kryejë verifikimin e politikanëve dhe kandidatëve zgjedhorë, nëse kjo do të bëhet nga një organ gjyqësor ose një organ tjetër i pavarur. Gjithashtu, nuk është e qartë nëse çdo skualifikim duhet të jetë i përhershëm ose i kufizuar në kohë. Në këto aspekte siguria ligjore mungon. Përveç kësaj, nuk janë propozuar masa mbrojtëse për të shmangur rrezikun e përdorimit politik të njëanshëm ose arbitrar”.

Komisioni vijon më tej në konkluzionet e tij, duke thënë se bie ndesh me të drejtën universale të kujtdo për tu zgjedhur në një sistem demokratik. “ 94. Në kërkesën e saj të synuar për zyrtarët e zgjedhur, projektligji nuk është në përputhje me Neni 3 i Protokollit të Parë të Konventës Evropianë të të Drejtave të Njeriut. Siç duket, propozimi në të vërtetë mund të çojë lehtësisht në shumë shembuj të abuzimit me fuqinë e tij.”

Në vijim, opinioni i Venecias që pritet të miratohet në mbledhjen e 14 dhjetorit, kujton se ligji i dekriminalizimit ofron filtrat e nevojshëm. “ 97. Për më tepër, merren parasysh dispozitat ekzistuese të Kushtetutës së Shqipërisë dhe të legjislacionit përkatës zbatues (në veçanti Ligji për Dekriminalizimin), si dhe mekanizmat e tjerë demokratikë në dispozicion, vlera e amendamenteve të propozuara kushtetuese mund të vihet në pikëpyetje.”

Në fund, Komisioni i Venecias thotë se: “Është Parlamenti shqiptar ai që duhet të vendosë për hapat e ardhshëm në lidhje me propozimin për ndryshime kushtetuese, përmes dialogut konstruktiv midis të gjitha forcave politike dhe të shoqërisë në përgjithësi, në interes të demokracisë shqiptare”.